Broja me shokë eliminojnë pas penalltive Newcastle United – kalojnë në gjysmëfinale të Carabao Cup

Chelsea është kualifikuar në gjysmëfinale të Carabao Cup, duke triumfuar në çerekfinale kundër Newcastle United.

“Blutë” triumfuan 4:2 pas penalltive ndaj Newcastle United, pasi 90 minutat e rregullta u mbyllën 1:1 në stadiumin “Stamford Bridge” në Londër.

Wilson ishte autor i golit të parë në këtë takim, i cili realizoi në të mirë të mysafirëve në minutën e 16-të, falë edhe gabimit të mbrojtësit vendas, Badiashile.

Chelsea në minutat në vazhdim kërkoi golin e barazimit, duke krijuar edhe disa raste.

Sulmuesi shqiptar Armando Broja e nisi takimin nga stoli, por u inkuadrua pas gjysmë ore lojë në vend të Fernandez. Pesë minuta pas inkuadrimit, Broja arriti të dërgonte topin në rrjetë, duke paraboluar portierin mysafir, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Megjithatë, barazimin në kohën e rregullt të ndeshjes e vendosi Mudryk që shënoi në minutën e dytë shtesë.

E në penallti, më të saktë u treguan futbollistët e Chelseat që në fund siguruan kalimin në gjysmëfinale.

Chelsea më parë eliminoi Brightonin dhe Blackburnin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *