Mungesa e Italisë në listën e skuadrave të kualifikuara direkt në Katar 2022 ka qenë padyshim surpriza më e madh e eliminatoreve.
Kampionia e Europës tashmë do të duhet të vuajë play-off të paparashikueshme në mars për mënyrën se si është ndërtuar formula e tyre, me kryqëzime të rrezikshme që mund t’i vendosin përballë Polonisë së Levandovskit, Suedisë së Ibrahimoviç apo Portugalisë së Ronaldos.
Si për ironi të fatit, skuadra italiane do të kishte të sigurt praninë në vazon e parë të shortit të fazës finale të Botërorit, nëse do të kualifikohej. Duke marrë për bazë kriterin e përzgjedhjes së FIFA-s për renditjen në shortin e fazës finale, klasifikimin e saj, dihen që tani se cilat janë 7 nga 8 skuadrat e vazos së parë në shortin e aktivitetit që hidhet më 7 prill.
Kështu, në vazon e parë të shortit është Katari si ekipi pritës e më pas me radhë Belgjika, Brazili, Franca, Anglia, Argjentina dhe Spanja. Italia, nëse kualifikohet, ka një vend në 8-shen e vazos të parë, përndryshe sipas radhës, ai i shkon Portugalisë, nëse kjo e fundit kualifikohet.
Nëse as italianët dhe as portugezët nuk kualifikohen, atëherë vendi në vazon e parë në bazë të renditjes do i kalojë surprizës së kualifikueseve, Danimarkës.