Ciro Blazevic ka ndërruar jetë ditën e sotme.
Ka kohë që ai po luftonte me kancerin e prostatës dhe tani fatkeqësisht e ka humbur atë betejë. Ciro duhej të festonte nesër 88-vjetorin e lindjes, transmeton GazetaBlic Sport.
Ciro Blazevic luajti për ekipe si Dinamo e Zagrebit, Lokomotiva, Sarajeva, Rijeka e Sioni. Ai ishte edhe trajner i Prishtinës në vitin 1986, në kohën kur tani klubi i kryeqytetit të Kosovës luante në ligën e parë federative të ish-Jugosllavisë.
Në një intervistë në vitin 2016, ai kishte folur për mediat kroate duke kujtuar periudhën sa ishte trajner i Prishtinës.
Blazevic zbuloi se si e kishte marrë vendimin që të braktis një skuadër zvicerane për një ekip të Kosovës.
“ Ishte çmenduri apo guxim të largohesha prej Zvicrës për Prishtinën? Mendoj se ishte çmenduri. Nëse nuk je trajner i çmendur, vështirë se mund të bën karrierë. Në këtë rast, unë e konfirmoj se kam qenë krejtësisht i çmendur. U shpalla kampion me Grasshopperin dhe erdhën disa njerëz duke më ofruar një punë në një ekip pa shpresë. Më ekzaltuan kur më thanë se vetëm unë mund t’i shpëtojë. Kjo ishte shumë e rëndësishme, sepse gjithmonë i kam dashur këto sfida”, zbuloi Ciro.
Ai më tutje kishte përshkruar momentin se si ia kumtoi largimin zyrtarëve të klubit të Grasshoppersit.
“Unë i thashë Presidentit të Grasshoppersit se do të shëtiti rrugëve të ngarkuara të qytetit të Cyrihit dhe nëse askush nuk më njeh, do të largohem. Më besoni, pak kush më njohu dhe për më tepër, më shikonin me sy si të një vrasësi. Pastaj vendosa të largohem. Në Prishtinë, unë u prita me shalle të bardha dhe për një moment mendova se nuk ishin aq të varfër sa thuhej. Por pastaj kam zbuluar se kanë prerë fletë në formë të shalleve të bardha”, tha Blazevic.
Cira gjithashtu kishte thënë se të qenit trajneri i skuadrës prishtinase ishte një aventurë e paharrueshme.
“Prishtina ishte aventurë e paharrueshme. Këtë ia kujtoj nipërve dhe mbesa të mia, duke u thënë se nuk më lejonin të paguajë asgjë sa isha atje”, shtoi Cira.