Astrit Selmani mund të jetë prurja e re e Kosovës për ndeshjet e muajit mars.
Futbollisti që po shkëlqen në Suedi te Hammarby është raportuar se do t’i bashkohet “Dardanëve” këtë muaj.
23-vjeçari i cili kërkohej edhe nga Suedia, tashmë është pajisur me pasaportë kosovare, por që zyrtarisht ende nuk dihet vendimi i tij.
Dje është raportuar shumë në lidhje me Selmanin, për të cilin është thënë se e ka pranuar ftesën e përzgjedhësit Challandes.
Demokracia.com e ka kontaktuar trajnerin zviceran, i cili nuk e ka pohuar dhe as mohuar një gjë të tillë.
“Ende nuk e kam bërë listën me futbollistët e ftuar”, tha të enjten shkurtimisht Bernard Challandes.
Demokracia.com kishte kontaktuar dje (e mërkure) edhe kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në lidhje me Selmanin.
Ai kishte thënë se i takon Challandesit nëse do ta ftojë apo jo.
“Astrit Selmani është i gatshëm të luajë për Kosovën, por kjo i takon përzgjedhësit dhe nuk e dimë nëse Challandes e ka ftuar atë. Ju tashmë e dini se listën e futbollistëve e bën vetëm trajneri me skuadrën e tij dhe ne nuk përzihemi në çështje që i takojnë ekskluzivisht atij”, deklaroi Ademi.