Bernard Berisha rikthehet të flasë për gjestin në ndeshjen ndaj Greqisë, e zbulon bisedën me Bernard Challandesin pas takimit

Përfaqësuesja e Kosovës i ka zhvilluar dy ndeshjet e para të edicionit të ri në Ligën e Kombeve javën e kaluar.

Fillimisht, më 3 shtator, Kosova barazoi 1:1 me Moldavinë e më pas pësoi humbje nga Greqia me rezultat, 1:2 në Prishtinë.

Në ndeshjen ndaj Greqisë në “Fadil Vokrri”, sulmuesi i Kosovës, Bernard Berisha mori vëmendjen me gjestin e tij pas golit të shënuar, i cili ishte indirekt për trajnerin Bernard Challandes.

Por, Berisha në një intervistë në “RTV Dukagjini” e ka komentuar gjithë këtë situatë.

“Ndeshja ndaj Greqisë ishte shumë e vështirë, të gjithë e kemi përjetuar atë humbje. Ndaj Greqisë, kishim shumë mungesa, shkoi si shkoi. Vëmendja jonë është tani në tetor, te ndeshja ndaj Maqedonisë së Veriut, duhet të mendojmë ta dërgojmë Kosovën përpara”, deklaroi fillimisht Berisha, përcjell “Zeri.info”.

“Sa i përket gjestit, ka qenë për të gjithë, jo vetëm për trajnerin. Mënyra se si jam trajtuar nuk ka qenë e duhura”, tregoi ai.

“Nuk ka qenë e lehtë për mua në dy vitet. Për dy vite, nuk kam pasur asnjë bisedë te trajneri. Për dy vite e kam mbështetur Përfaqësuesen”, theksoi futbollisti nga Peja.

Tutje, ai tha se Challandes ka merita për sukseset e Kosovës, derisa tregon edhe bisedën me trajnerin zviceran pas ndeshjes.

“Me gjestin pas golit kam kërkuar minutazh. Nuk kam asgjë me trajnerin. Ai ka merita shumë të mëdha për rezultatet e Kosovës”, thotë më tej Berisha.

“Pas ndeshjes më tha se kam bërë një lojë të mirë, por që gjestin që e bëra më tha se nuk ishte gjë e duhur. Më pas, asnjë person nuk më është lajmëruar. Unë i kam kërkuar falje gjithë shikuesve”, përfundoi Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *