COVID-19 u bë pengesë që portieri i kombëtares shqiptare Etrit Berisha, i cili mbajti edhe shiritin e kapitenit në krah në dy sfidat e fundit, të transferohej në një skuadër të madhe dhe ky është pengu i gardianit kuqezi.
Në një lidhje telefonike për emisionin Zona Gol në Supersport, Berisha tregoi disa prapaskena të merkatos ndërsa foli edhe për aventurën në Serie B me SPAL-in.
”Serie B është diçka e re për mua. Me siguri që do jetë një sfidë e rëndësishme në karrierën time. Gjithsesi duhet të kthehem aty ku e meritoj. Gjatë merkatos ka patur interesim dhe mundësi transferimi. Dëshira ime nuk është realizuar prej COVID-it. Një skuadër e madhe më ka mbetur peng. Ka patur edhe disa ekipe të tjera që kanë qenë disi më inferiore”.
Një mendim i Berishës shkoi edhe për kombëtaren shqiptare, duke lënë të kuptohet se do të jetë e vështirë që kombëtarja të ketë sërish një grup po aq të fortë sa ai që u kualifikua në Euro 2016.
“Grupi që kemi patur me Shqipërinë, vështirë se do bëhet ndonjëherë. Kemi shumë lojtarë të rinj që po inkuadrohen. Këto dy ndeshje kemi treguar karakter”, u shpreh Berisha.