Rafa Benitez ka zbuluar saktësisht sesi e kishte frymëzuar skuadrën e tij të Liverpoolit për t’u rikthyer nga një deficit prej tri golave kundër Milanit dhe për ta fituar Ligën e Kampionëve në finalen e Stambollit para një dekade e gjysmë.
Para fishkëllimës së fundit në pjesën e parë, të kuqtë po humbnin 3:0, por e rikthyen rezultatin duke barazuar 3:3 për ta cuar ndeshjen në kohën shtesë dhe përfundimisht në penallti, përmes të cilave e fituan kurorën evropiane, transmeton GE.
Steven Gerrard, Vladimir Smicer dhe Xabi Alonso i shënuan golat e rikthimit të paharrueshëm që më vonë u quajt “Mrekullia e Stambollit”.
Në prag të shënimit të 15-vjetorit të kësaj finale, trajneri spanjoll ka treguar në detaje se cfarë u kishte folur lojtarëve – të cilët dukeshin të rrënuar – në pushimin mes pjesëve për t’i ndihmuar në arritjen e rikthimit historik.
“Kur e pranon një gol, duhet të mendosh të ndryshosh diçka. Por kur e pranon golin e tretë? Epo, atëherë duhet të ndryshosh patjetër dhe kjo ishte e qartë”, tha Benitez për The Athletic.
“I thashë Pako Ayestaran, ndihmësit tim, ‘unë do ta mbaj fjalimin e ekipit pas pjesës së parë dhe do të flas për lojën me tre lojtarë në mbrojtje, në mënyrë që ta kemi një lojtar shtesë në mesfushë. Ti shko dhe nxirre në ngrohje Hamannin’. Mesazhi që ia dhamë lojtarëve kishte të bënte me besimin, të tentonin të shënonin herët dhe kështu të riktheheshim në lojë. Kjo ishte gjëja kryesore”, zbutoi ai.
“Duhet të tentoni. Por, varësisht se çfarë ndodh në minutat e para, i merr vendimet. Kështu bëmë ne”, shtoi ai.