Bayern Munichu e mposhti Bayer Leverkusenin me rezultat 4:2 në finalen e Kupës së Gjermanisë, duke e bërë kështu një tjetër hap drejt tripletës, pas triumfit në Bundesligë.
Bundesliga, Kupa e Gjermanisë, Liga e Kampionëve – Skuadra e Hansi Flick synon ta përfundojë sezonin 2019/20 me këto tri trofe dhe tashmë i ka arritur dy nga tri prej tyre, raporton Gazeta Express.
Pas triumfit në Bundesligë, ku sezoni tashmë ka përfunduar, Bayerni arriti të triumfojë edhe në finale të Kupës së Gjermanisë, ku e mposhti sonte Bayer Leverkusenin me rezultat 4:2.
Në stadiumin Olympiastadion në Berlin, David Alaba e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes në minutën e 16-të, me një gol të bukur të shënuar nga gjuajtja e lirë.
Ndërsa, vetëm tetë minuta më vonë, Bayerni e shënoi edhe golin e qetësisë, përmes goditjes së Serge Gnabryt dhe pasimit të Joshua Kimmich.
Robert Lewandowski e vazhdoi superformën e tij këtë sezon, duke e shënuar golin e tretë të Bayernit në ndeshje në minutën e 59-të, kur megjithatë vëmendjen e mori portieri Manuel Neuer, i cili e asistoi golin.
MANUEL NEUER, yes Manuel Neuer picks up an assist for Bayern’s 3rd! Scored by Lewandowski. pic.twitter.com/gK0U9e9Y1Z
— Take Ballon D’or 2023 (@TechnicalTake26) July 4, 2020
Leverkuseni tentoi të kthehet në lojë në minutën e 63-të të ndeshjes, kur shënoi Sven Bender, mirëpo Lewandowski e ktheu sërish epërsinë prej tri golave në minutën e 89-të të ndeshjes. Ky ishte goli i 51-të i Lewandowskit për këtë sezon.
Por, Leverkuseni s’u dorëzua dhe në minutën e 95-të shënoi për 4:2 përmes penalltisë së shënuar nga Kai Havertz.
Kjo është herë e 20-të që Bayerni e fiton trofeun e DFB Pokal, duke e vazhduar kështu dominimin në futbollin gjerman.