KF Llapi e ka nisur me fitore rrugëtimin për mbrojtjen e trofeut të Kupës së Kosovës në futboll.
Skuadra “bardhekaltër” nga Podujeva kaloi pengesën e parë, Kikën nga Hogoshti, të cilën e mundi me rezultat 2:1, në kuadër të fazës së 1/16 së finales.
Skuadra e drejtuar nga trajneri, Tahir Batatina, ka edhe disa pengesa deri në fund për t’u stolisur me këtë trofe.
Kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina beson se skuadra që ai drejton mund ta mbrojë trofeun e Kupës, ndërsa për këtë ka premtuar se ata do ta japin më të mirën e tyre.
“Jemi skuadër shumë solide. Duke e parë edhe ecurinë e kampionatit dhe vazhdimësinë të cilën e kemi, besoj se mund ta arrijmë qëllimin ta mbrojmë trofeun e Kupës. Ne do ta japim maksimumin. Me vetë faktin se kemi skuadër solide, skuadër që po tregon formë të mirë, mendoj se kemi potencial. Ne dje përveç që fituam ndeshjen me Kikën dhe ishte e rëndësishme që kaluam tutje, promovuam tre lojtarë shumë cilësor nga akademia e futbollit. Ndoshta kjo ishte vlera më e madhe”, u shpreh Tahir Batatina të enjten për Demokracia.com.
Ndonëse Llapi po gëzon formë të lart edhe në kampionat javët e fundit, rruga më e shkurtër drejt garave evropiane mbetet sërish përmes Kupës.
Batatina vlerëson se me fondin e lojtarëve që ka në dispozicion, Llapi mund ta mbrojë atë, ndërsa ka shtuar se ata do ta kërkojnë edhe trofeun që iu mungon, titullin e kampionit.
“Llapi në një farë forme ka hapur rrugët dhe horizontet për dalje në Evropë. Për vetë faktin që tashmë kualifikohen katër skuadra në garat evropiane. Ne jemi shumë afër objektivave. Nuk do të thotë se ne do të luftojmë vetëm përmes Kupës, ndonëse duke e ditur se Kupa është prioriteti ynë. Është rruga më e shkurtër. Ekipa është solide. Kemi pikë të mjaftueshme. Kemi dy skuadra brenda një skuadre ku mund të vijojmë edhe në Kupë edhe në kampionat. Kjo nuk do të thotë se ne nuk do të luftojmë në kampionat. Përveç faktit se ne kemi në pronësi Kupën dhe Superkupën, Llapi e ka synim e ka ta marrë edhe trofeun e çmueshëm të kampionit”, theksoi Batatina.
Llapi në fillim të edicionit kishte një formë jo të mirë të rezultateve, duke u pozicionuar në fund të tabelës për disa xhiro me radhë.
Megjithatë, llapjanët gjetën forcën dhe u rikthyen në rrugë të mirë, ndërsa tani kur kanë kaluar 16 javë në Superligën e Kosovës në futboll, Llapi është në vendin e katërt me 25 pikë, vetëm pesë më pak se lideri, Ballkani.