Batatina: Gjyqtarët e ndeshjes ndikuan në humbjen e Llapit

Llapi pësoi një humbje të rëndë në shtëpi nga Drenica me rezultat 0:2 në xhiron e 24-të të IPKO Superligës së Kosovës.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina pas ndeshjes për mikrofonin e SuperSport Kosovës deklaroi se ndeshja është ndikuar nga vendimet e gjyqtarëve.

“Mendoj që ne është dashur të fitojmë qysh në pjesën e parë kur kishim dy raste të qind për qinda, pastaj erdhi një penallti që nuk dua ta komentojë, pastaj anësori na dëmtoi në disa raste me disa pozita jashtë loje”, deklaroi Batatina.

Tutje, trajneri llapjan shprehu pa kënaqësinë e tij me ndarjen e drejtësisë nga gjyqtarët.

“Në këtë ndeshje gjyqtarët kanë ardhur ta ndihmojnë Drenicën dhe të dëmtohet Llapi, dhe këto ndodhin për arsye të shumta. Gjyqtarët si Besforti dhe dy anësorët qitën futbollistët e Llapit nga loja, por ky është futbolli dhe nuk duhet të ndodhin këto gjëra në futboll, pasi Drenica fiton këtu ne fitojmë tek ta. Kanë mbetur edhe shumë ndeshje deri në fund, Llapi do të vazhdon të luajë futboll deri në fund”, përfundoi Batatina.

Llapi me këtë humbje po thuajse shuan gjasat për titull dhe renditet në pozitën e gjashtë me 37 pikë.

Ndërsa, Drenica vetëm forcon pozitën e shtatë me 36 pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *