“Ky trofe është ëndërr e shumë legjendave të futbollit llapjan, duke filluar nga legjenda Fadil Vokrri dhe shumë gjenerata të arta që kanë flijuar për këtë skuadër pothuaj një shekull. Ne kemi rastin ta bëjmë ëndrrën realitet dhe nuk duam ta lëshojmë këtë mundësi”, kështu e nis rrëfimin e tij për Demokracia.com, trajneri i Llapit Tahir Batatina, vetëm një ditë para ndeshjes së madhe që skuadra e tij Llapi e zhvillon ndaj Dukagjinit.
Llapi e Dukagjini ndeshen nesër nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet në finalen e madhe të Kupës së Kosovës, dhe tashmë gjithçka duket gati.
Llapjanët janë transferuar në Vushtrri në stadiumin e qytetit “Ferki Aliu”, ku po punojnë në fushën me bari natyral në mënyrë që t’i përshtaten sa më mirë fushës së stadiumit Fadil Vokrri, derisa kryesia ka vendosur që t’i kryej pagat para kohe në mënyrë që lojtarët fokusin e vetëm ta kenë tek ndeshja.
“Ky trofe është një histori për futbollin llapjan duke e ditur sakrificën e madhe që kanë bërë gjeneratat vetëm për të sjellë trofe këtu. Nëse e arrijmë objektivin do të mbetemi në analet e historisë së klubit të Llapit. Ne jemi gati që ëndrrën ta bëjmë realitet”, ka thënë për Demokracia.com, Batatina duke mohuar çdo lloj presioni në skuadër dhe të qetë e presin ndeshjen.
“Rëndësia e ndeshjes është e madhe por ne jemi të qetë, pa presion sepse kemi ardhur deri këtu me hapa të sigurt dhe jemi skuadër me përvojë dhe nuk kemi fare presion, vetëm jemi të motivuar. Atmosfera në skuadër është brilante, lojtarët janë shumë të motivuar ata janë profesionistë dhe ne duhet të mësohemi me ndeshje të këtij niveli, sepse Llapi tash është nivel i profesionalizmit në çdo aspekt”, vlerësoi Batatina, duke konfirmuar se edhe kryesia është mobilizuar duke i kryer para kohe obligimet dhe gjithçka që u ka mbetur është ta shkruajnë historinë.
“Kemi super kushte në akomodim, kryesin e kemi mbrapa në çdo kohë, jemi klubi më gjendjen financiare më të mirën në Kosovë. Kryesia lojtarëve para festes së Bajramit u ka hedhur pagat mujore në shenjë respekti dhe kontributi që kanë dhënë për klubin, kjo gjë është bërë fal punës së madhe të presidentit, nënkryetarit e drejtorit ekzekutiv dhe ku gjithçka është gati për ditën e finales”, ka përfunduar Tahir Batatina.