Ish-presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu ka mohuar se ai ka zbuluar kontratën e Lionel Messit, e publikuar nga El Mundo në fundjavën që shkoi.
Detajet e pagës së argjentinasit u zbuluan nga El Mundo, gjë që shkaktoi një trazirë në Camp Nou, pasi vetëm një numër shumë i zgjedhur i njerëzve mund të ishin përgjegjës për rrjedhjen e detajeve.
“Është një çështje shumë serioze dhe është krejtësisht e paligjshme të zbulosh kontrata profesionale”, ka thënë Bartomeu për Esport3, duke mohuar përfshirjen e tij.
“Të flasësh në TV dhe të bësh akuza është e lehtë, por nuk është një shaka dhe kjo do të përfundojë në gjykatë”.
Duke vazhduar, ish-presidenti mbrojti pagën e Messit dhe qëndrueshmërinë e tij para COVID-19.
“Nga rruga, Leo meriton atë që fiton”, shtoi Bartomeu. “Edhe për arsye profesionale dhe komerciale”.
“Pa pandeminë, Barcelona lehtë mund t’i paguajë ato shifra”.
Messi tashmë ua ka dorëzuar situatën avokatëve të tij dhe pritet të ndërmerren masa ligjore.