Një video e vitit 2019 është publikuar kohëve të fundit dhe ka trazuar akoma më shumë ambientin e Barcelonës.
Në atë filmin shihen Antoine Griezmann dhe Ousmane Dembele, që tallen me pamjen e dy punonjësve nga Azia në një hotel ku ata po qëndronin.
Barcelona, e cila sponsorin kryesor, Rakuten, e ka nga Azia, ka reaguar me një deklaratë zyrtare, ku dënon sjelljen e dy lojtarëve dhe premton se e tillë sjellje nuk do ndodhë më.
Klubi vlerëson faljen e dy lojtarëve, por nuk përjashtohen ndëshkime ndaj tyre.
“Barcelona shpreh keqardhje të thellë për të gjithë tifozët japonezë dhe aziatikë dhe partnerët e klubit tonë për videon e publikuar ditët e fundit në rrjetet sociale, në të cilën dy lojtarë të ekipit treguan mosrespekt ndaj tyre me qëndrimin e tyre ndaj disa punonjësve të hotelit, në të cilin ata po qëndronin. Ky qëndrim nuk ka asnjë lidhje me vlerat që Barcelona përfaqëson dhe mbron. Bordi i Drejtorëve që tani menaxhon klubin është i përkushtuar për të siguruar që episodet e kësaj natyre të mos përsëriten. Lojtarët tashmë kanë treguar keqardhjen e tyre dhe u kanë kërkuar falje tifozëve dhe partnerëve japonezë, gjë që klubi i vlerëson”, shkruhet në deklaratë.