Quique Setien do të jetë trajner i Barcelonës edhe për edicionin e ri në Camp Nou, kështu ka konfirmuar Josep Maria Bartomeu.
Raportimet nga Spanja në javët e fundit spekuluan se trajneri do të shkarkohej në fund të edicionit, pasi po dështon të fitojë La Ligan.
Setien e zëvendësoi Ernesto Valverden në muajin janar, mirëpo tani ka mbetur katër pikë mbrapa Real Madridit në garë për titull.
“Quique Setien do të jetë në krye të skuadrës për sfidën e Ligës së Kampionëve ndaj Napolit”, ka thënë Bartomeu për TV3.
“Qëllimi është që ai të vazhdojë të jetë trajner edhe për edicionin e ri, por ne do të tentojmë të respektojmë kontratën deri në fund”, ka shtuar më tej ai.
Diario Sport raportoi në fillim të këtij muaji se Setien nuk ka të ardhme te Barcelona dhe do të shkarkohet me të përfunduar ky edicion.
Sipas mediave katalunase, Xavi Hernandez shihet si zëvendësues i tij, por nuk përjashtohet as Ronald Koeman. /Telegrafi/