Barcelona e ka bërë një tjetër hap të gabuar në garën për titullin e La Ligës, pasi që u ndal me barazim me rezultat 2:2 në ndeshjen kundër Celta Vigos. Ky barazim, megjithatë, i çon katalonasit në krye të tabelës, të paktën përkohësisht.
Pas barazimit pa gola kundër Sevillas, Barcelona e humbi pozitën e lideres së La Ligës ndaj Real Madridit. Barcelona e bëri një gabim të ngjashëm sërish sot, duke humbur pikë kundër Celta Vigos, oërkundër që katalonasit tani e kanë rimarrë këtë pozitë, të paktën deri sa Real Madridi ta zhvillojë ndeshjen e xhiros së 32-të, raporton Gazeta Express.
Skuadra e Quique Setien llogariti në partneritetin në sulm mes Luis Suarezit dhe Lionel Messit, partneritet ky që i prodhoi dy gola në këtë ndeshje, të cilat megjithatë nuk mjaftuan për ta fituar ndeshjen dhe tani Barcelona rrezikon edhe më shumë ta humbë titullin, pasi që radhitet me vetëm një pikë më shumë se Real Madridi, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Suarezi e shfrytëzoi një pasim të mirë nga Messi fillimisht në minutën e 20-të, kur edhe e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes.
Megjithatë, Celta Vigo arriti ta shfrytëzojë njërin nga vetëm tri rastet e mira që i pati gjatë gjithë ndeshjes për ta barazuar rezultatin në minutën e 50-të, përmes golit të shënuar nga Fedor Smolov.
Suarezi e shënoi golin e tij të dytë në këtë ndeshje në minutën e 67-të të ndeshjes, sërish të asistuar nga Lionel Messi. Mirëpo festa e katalonasve nuk zgjati shumë, pasi që Iago Aspas e shënoi golin e barazimit për Celta Vigon në minutën e 88-të të ndeshjes.
Barca dropping points again, Aspas making it 2-2 late on with thispic.twitter.com/mqTVZyos6k
— Riggers (@UniqueRiggers) June 27, 2020
Përkundër dy pikëve të humbura në këtë ndeshje, Barcelona e mban kreun e tabelës, të paktën deri të dielën, kur Real Madridit do ta vizitojë Espanyolin për ndeshjen e kësaj xhiroje.