Barcelona do të kërkojë ta ngushtojë në vetëm një pikë epërsinë e liderit të La Ligës, Atletico Madrid, kur të përballet sonte me Real Valladolidin në Camp Nou.
Barça është nikoqire e Valladolidit në Camp Nou në orën 21:00.
Do të jetë një duel mes dy skuadrave me synim krejtësisht të ndryshme, me Barcelonë që po lufton për titull dhe Valladolidin që betejë kryesore këtë sezon e ka mbijetesën në futbollin elitar spanjoll.
Për skuadrën e Ronald Koeman motiv shtesë do të jetë fakti se lideri Atletico Madrid bëri tjetër lëshim, duke u mposhtur nga Sevilla të dielën.
Kjo nënkupton se Barcelona, e cila i ka 62 pikë tani, do t’i afrohej në vetëm një pikë Atleticos, nëse e mposht Valladolidin.
Katalonasit e kanë gjetur formën e mirë në kohën e duhur, pasi i kanë fituar pesë ndeshjet e fundit duke i shfrytëzuar plotësisht lëshime e shpeshta të Atleticos.
Të njëjtën gjë synojnë ta bëjnë edhe sonte ndaj skuadrës së Valladolidit, e cila e ka vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit, në një betejë të vështirë për mbijetesë.
Valladolidi është vetëm tri pikë larg zonës së rënies nga La Liga.