Barcelona e ka me ngut për të transferuar Lautaro Martinez në Camp Nou.
Është 22-vjeçari i Interi objektivi kryesor i Barçës në merkato pasi blaugranat shikojnë te argjentinasi të ardhmen e sulmit dhe një zëvendësues ideal të Luis Suarez që është në vitet e tij të fundit të karrierës.
Gazeta katalanase Sport.es shkruan se oferta e fundit e Barçës për Interin ka kapur shifrën e 60 milionë eurove plus kartonat e dy futbollistëve Junior Firpo dhe Tobido, ofertë që nuk ka ngrohur aspak drejtuesit zikaltër me Marottën dhe Ausilion që e kanë refuzuar menjëherë. Lautaro Martinez ka një klauzolë largimi nga Interi prej 111 milionë eurosh, shifër që Barcelona nuk është e gatshme ta paguajë për shkak të krizës ekonomike nga COVID-19.
Në pamundësi për t’i ofruar këto para cash Barça kërkon të përfshijë një ose dy futbollistë të tjerë në marrëveshje, por Marotta nuk lëviz nga kërkesat e tij teksa synon 70 deri në 80 milionë euro plus kartonat e Arthur Melos dhe mbrojtësit të djathtë Nelson Semedo pasi Junior Firpo dhe Tobido nuk i bindin zikaltrit. Interi nuk do të lëvizë nga shifra e kërkuar dhe do të refuzojë çdo ofertë të Barçës për numrin 10 nëse nuk kënaq kushtet e zikaltërve.
E kundrta mund të ndodhë vetëm nëse përfshihen në marrëveshje emrat e Antoine Griezmann dhe Arturo Vidal. Tashmë mbetet për t’u parë nëse kalimi i Lautaro Martinez te Barcelona do të kthehet në një nga telonevalat e kësaj vere apo do të mbyllet në kohë rekord me një fund të lumtur për të dyja klubet.