Futbollistët e Ballkanit e kanë zhvilluar sot seancën e fundit stërvitore para ndeshjes së rëndësishme me Prishtinën, të cilën do ta zhvillojë nesër.
Ekipi nga Suhareka do të përballet me Bardhekaltrit në finale të Digitalb Kupës së Kosovës, e cila do të luhet të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri” duke filluar nga ora 17:45.
“Seanca e fundit stërvitore para finales me FC Prishtinën në Digitalb Kupa. Stërvitja u zhvillua në Stadiumin “Fadil Vokrri”-Prishtinë. Na priftë e mbara”, ka shkruar klubi Portokalli në rrjetet sociale.
Ballkani përfundoi në pozitën e tretë në tabelë këtë sezon në IPKO Superligë, e cila ishte e pamjaftueshme për ta siguruar daljen në Evropë.
Sidoqoftë, therandasit e kanë tash edhe opsionin e dytë, atë përmes Kupës për të debutuar në garat evropiane.
Trajneri Ismet Munishi para përballjes me Prishtinën, ka deklaruar se presioni është në kampin tjetër dhe jo te skuadra e tij. Sipas tij, kjo është një përparësi e madhe por nuk do të thotë që janë të relaksuar.
“Normalisht që presioni është më i madh te Prishtina, kjo është një përparësi për neve. Do të jemi shumë më të qetë, jo më të relaksuar, por në këtë aspekt do të jemi të qetë. Normalisht, tash na nuk mundemi t’i zgjedhim problemet e Prishtinës, ajo duhet t’i zgjedh problemet në gjirin e vet, na sigurisht që do të synojmë të arrijmë objektivat tona”.
Siç dihet, fituesi i Digitalb Kupës e siguron pjesëmarrjen në Europa League.
Për këtë arsye, ky trofe është aq i çmueshëm dhe i rëndësishëm.
Të njëjtën gjë do ta kërkojë edhe Prishtina, e cila e synon pjesëmarrjen në Ligën e Evropës për herë të katërt radhazi.