Ballkani për të tretin vit radhazi kampion i Kosovës

FC Ballkani e ka mbrojtur titullin e kampionit të Kosovës duke mposhtur në udhëtim Llapin, derisa fitore të shtunën shënuan edhe Gjilani, Prishtina, Malisheva dhe Feronikeli ’74.

Derbi më interesant ishte i titullit në “Zahir Pajaziti”, ku Ballkani kishte nevojë vetëm për një pikë që të shpallej automatikisht kampion, por në fakt i arkëtoi të tria.

Heroi rezultoi të jetë lojtari më në formë këto javët e fundit, Bernard Karrica – i cili realizoi një gol të bukur pas një aksioni fantastik (74’).

Llapi tentoi deri vonë që ta bënte ndonjë përmbysje, megjithatë assesi s’arriti ta thyente portën mysafire.

Kësisoj, për të tretin vit radhazi Ballkani shpallet kampion i Kosovës, ndërsa në edicionin tjetër do të garojë sërish në raundin e parë kualifikues për Ligën e Kampionëve.

Në anën tjetër, Gjilani e ka fituar derbin e Anamoravës me fitore 2:1 ndaj rivalit lokal, Drita.

“Skifterat” ishin më të mirë shumicën e kohës duke marrë parasysh edhe që kanë nevojë vetëm për fitore që t’iu ikë zonës së barazhit.

Edison Kqiku (12’) dhe Kushtrim Shabani (48’) shënuan nga një gol që për Gjilanin ka vlerën e tre pikëve. E tëra që bëri Drita, ishte i nderit i realizuar nga Albert Dabiqaj (90+10′).

Fitore të madhe ka shënuar edhe Prishtina, që e demoloi Fushë Kosovën me rezultat të thellë 5:0.

Bardhëkaltërit ishin mahnitës, duke kaluar fillimisht në epërsi me anë të kapitenit Mërgim Pefqeli (38’), ndërsa Ardian Limani dyfishoi epërsinë (45’).

Për golin e tretë dhe të katërt u përkujdes Hasan Hyseni, që realizoi dy herë brenda gjashtë minutave (61’, 67’). Ndërsa, fitoren e vulosi Igball Jashari (65’).

Malisheva gjithashtu regjistroi fitore të thellë me rezultat 7:4 si nikoqir i Lirisë së Prizrenit.

Më i miri ishte talenti Drilon Hazrollaj që kompletoi ‘pokerin’ (45+3’, 49’, 51’, 82’), ndihmuar nga Etnik Bruti me dygolësh (66’, 67’), si dhe një gol i Altin Aliut (42’).

Sa i përket Lirisë, shënuan Valmir Berisha (32’), Ubong Ekpai (55’) si dhe Aldi Gjumsi (75’, 90’).

Përballje tjetër interesante ishte ndërmjet Feronikelit ’74 dhe Dukagjinit, ku klubi nga Drenasi fitoi me rezultat të ngushtë 3:2.

Agron Bruqi i dha epërsinë Niklit (29’), por që Dukagjini u barazoi shpejtë me anë të Redon Sylës (31’).

Sidoqoftë, vendasit e kthyen epërsinë përmes Ibrahim Cërvadikut (38’), rezultat me të cilën përfundoi kjo pjesë.

Dukagjini arriti prapë ta barazonte, këtë herë me Amsal Krasniqin (51’), mirëpo Robert Rrahmani gëzoi vendasit me një gol të bukur për t’ua fituar pikët e plota (69’).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *