Ballkani në krizë të rëndë financiare, nuk paguan futbollistët me muaj

Ballkani ka kryer dy faza përgatitore, një në Durrës të Shqipërisë dhe një tjetër në Antalya. E për përgatitjet jashtë vendit, klubi suharekas është detyruar t’i kërkojë ndihmë Komunës së Suharekës.

Gjatë ditës së djeshme (e shtunë) kemi raportuar që kuvendi komunal i ka ndarë Ballkanit 88 mijë euro për fazën përgatitore, ku ka pasur reagime të ashpra nga opozita në Suharekë.

Gazeta “Olle” ka raportuar gjatë mbrëmjes se Ballkani është duke kaluar nëpër një krizë financiare në muajt e fundit. Burime brenda klubit suharekas kanë thënë se futbollistët nuk janë paguar për muajin nëntor dhe dhjetor, ndërsa mbesin në shpresë se këto pagesa do t’i marrin me 1 shkurt duke përfshirë edhe pagën e janarit.

Ndihma që i ka dhënë Komuna e Suharekës ka qenë shumë e mirëseardhur për Ballkanin, pasi nëse nuk do t’i kishte ndarë fondet kuvendi komunal atëherë klubi kish rrezikuar mos të kryej fazë përgatitore jashtë vendit. Gjithsesi kriza financiare e Ballkanit nuk është diçka për tu çuditur pasi edhe klubet më të mëdha evropiane janë në krizë dhe nuk po i paguajnë futbollistët me rregull.

Vetëm disa ditë më parë mediat italiane kanë njoftuar se i vetmi klub nga Serie A që ka paguar me rregull futbollistët është Napoli.

Edhe klubet tjera të mëdha si Juventus, Inter, Roma apo Milan i kanë disa muaj paga borxh futbollistëve të tyre. Kriza ka kapur edhe klubet tjera evropiane si në Angli, Spanjë, Gjermani, Francë, Turqi e vende tjera evropiane.

Krejt kjo gjendje e rëndë financiare si te Ballkani ashtu edhe te klubet tjera në Kosovë dhe Evropë ka ardhur shkaku i pandemisë Covid-19, gjë që ka paralizuar shumë biznese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *