Ballkani ndalet në shtëpi nga Ferizaj

Ballkani dhe Ferizaj kanë luajtur baras 1-1 në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 12-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Therandasit nuk kanë arritur të shfrytëzojnë terrenin vendas për të marr tri pikët e radhës dhe për ta barazuar Prishtinën në pozitën e parë, pasi janë ndalur nga Ferizaj me barazim.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët krijuan më shumë dhe arritën të shënojnë edhe një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 16-të të ndeshjes me anë të Walid Hamidit, i cili shënoi për epërsinë 1-0.

Në pjesën e dytë, skuadrat ishin më të barabarta, pati më shumë raste, por rrjetën e gjeten vetëm mysafirët.

Për mysafirët golashënues ishte Betim Haxhimusa (48’), i cili shënoi për barazimin 1-1 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes, me të dyja skuadrat që u desh të pajtohen me nga një pikë.

Pas këtij barazimi, Ballkani e sheh veten në pozitën e dytë me 23 pikë, teksa Ferizaj renditet në vendin e shtatë me 14 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, therandasit luajnë në udhëtim te Drenica, teksa ferizajasit e presin Dukagjinin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *