Kanë përfunduar pesë ndeshjet e para të javës së gjashtë të elitës së futbollit tonë.
Ballkani ka shënuar fitore të rëndësishme në derbin e kësaj mesjavë, duke mposhtur Dritën me rezultat të pastër 2:0 në Suharekë.
Suharekasit kaluan në epërsi në minutën e 39-të, kur Walid Hamidi realizoi golin e parë të ndeshjes. Kur po afrohej fundi i takimit, Drita pësoi edhe një goditje tjetër, pasi Krasniqi shënoi autogol në minutën e 86-të, duke vulosur rezultatin 2:0 për vendasit.
Me këtë fitore, Ballkani ngjitet në kuotën e 12 pikëve dhe pozicionohet në vendin e dytë të tabelës. Ndërkohë, kampionia në fuqi, Drita, vazhdon me formë të dobët, duke mbetur në pozitën e parafundit me vetëm pesë pikë të mbledhura deri tani.
Ndërkohë, Dukagjini ka shënuar fitore të madhe ndaj Llapit me rezultat 3-1, ndeshje e luajtur në Klinë.
Ndeshja nisi më mirë për mysafirët nga Podujeva, të cilët kaluan në epërsi që në minutën e 8-të me golin e Axel Gnapit, pas asistimit të Arbnor Ramadanit.
Megjithatë, pak para përfundimit të pjesës së parë, Dukagjini barazoi me një gol spektakolar nga distanca të Dienit Isufit (1-1). Në këtë periudhë, trajneri i klinasve, Ismet Munishi, u përjashtua me karton të kuq nga gjyqtari Genc Nuza.
Në pjesën e dytë, vendasit e dominuan takimin. Altin Merlaku i dha epërsinë Dukagjinit në minutën e 76-të, pas asistimit të Isufit, ndërsa tetë minuta para fundit, Iljasa Zulfiji vulosi fitoren me golin e tretë (88’).
Pas kësaj fitoreje, Dukagjini ngjitet në krye të tabelës me 13 pikë, ndërsa Llapi mbetet në fund me vetëm 3 pikë dhe një fitore në këtë edicion.
Fitore të rëndësishme ka arritur edhe Drenica që mundi në udhëtim Gjilani, me rezultat 1-0. Golin e fitores për kuqeznjtë e shënoi Genc Hamiti në minutën e 90+5’.
Fitore ka shënuar edhe Malisheva para tifozëve të saj duke mundur Ferizajn, me rezultat 3:1.
Mysafirët kaluan të parët në epërsi me anë të Iljazit në minutën e 32-të, i cili realizoi pas një kundëraksioni të shpejtë.
Megjithatë, gëzimi i Ferizajt nuk zgjati shumë, pasi vetëm katër minuta më vonë Arlind Veliu barazoi me një goditje të bukur (36’).
Pjesa e parë u mbyll me shifrat 1:1, ndërsa në fraksionin e dytë Malisheva dominoi në të gjitha aspektet. Në minutën e 50-të, Diatta shënoi golin e dytë për vendasit, duke e përmbysur rezultatin. Vetëm katër minuta më pas, Aliu vulosi fitoren me golin e tretë (54’).
Me këtë sukses, Malisheva ngjitet në kuotën e 7 pikëve, ndërsa Ferizaj bie në pozitën e tetë me 6 pikë.