Ballkani ka pësuar disfatë nga Viktoria Plzen, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e pestë të Grupit C, në Ligën e Konferencës.
Kampionët e Kosovës u mposhtën 0:1 nga ekipi çek, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Portokallezinjtë e drejtuar nga trajneri Ilir Daja kanë bërë paraqitje të mirë, me një numër rastesh, por në fund mos konkretizimi i kushtoi.
Viktoria Plzen fitoren e siguroi në minutën e 81-të kur Sulc shënoi, në kohën kur Ballkani tentonte portën kundërshtare.
Ballkani rrezikoi seriozisht portën e Plzen në minutën e 13-të, kur goditjen e Edvin Kuç me kokë e largoi nga “vija fatale” një mbrojtës kundërshtar.
Tetë minuta pa përfunduar koha e rregullt, Ballkani kërkoi penallti për një lojë me dorë nga anëtari i Plzenit, por gjyqtari sinjalizoi se loja duhej vazhduar.
Të pranishëm në shkallët e stadiumit në Tiranë janë edhe një numër jo i madh i tifozëve.
Ballkani me këtë humbje është i fundit me katër pikë, po aq sa Astana e treta. E para në grup është Plzen me 15 pikë, ndërkohë Dinamo Zagreb zë vendin e dytë me gjashtë pikë.
Ballkani ndeshjet e fundit në grup e zhvillon kundër Dinamo Zagrebit në Kroaci, ndeshje kjo vendimtare për fatin e kampionëve për kalim të grupit.