Ballkani – Larne: Kampioni i Kosovës vlen pothuajse dyfishë më shumë se kundërshtari sipas Transfermarkt

Kampioni i Kosovës, Ballkani, do të përballet sot me kampionin e Irlandës Veriore, Larne, në kuadër të rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, me ndeshjen e parë që zhvillohet në Prishtinë, përkatësisht në Fadil Vokrri.

Si ‘Xhebrailat’ ashtu edhe skuadra kundërshtare këtu erdhën pasi dështuan ta kalojnë fazën e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve, duke humbur nga Ludogorets dhe Helsinki, respektivisht.

Sipas Transfermarkt, Ballkani vlerësohet pothuajse dyfishë më shumë se kundërshtari i sotëm në tërësi si skuadër.

Dy herë kampioni i Kosovës radhazi, kap vlerën 5.45 milionë euro, kundrejt Larne që vlerësohet me 2.83 milionë euro.

Lojtari më i vlerësuar në kampin e skuadrës kosovare është padyshim Albion Rrahmani, sulmuesi i cili shkëlqeu me suharekasit dhe tashmë ka bërë që të ketë edhe interesim të madh për të nga jashtë. Vlera e tij është 600 mijë euro.

Pas tij menjëherë vjen talenti Lindon Emërllahu me vlerën 550 mijë euro, me mesfushorin që tregoi paraqitje mbresëlënëse në dy ndeshjet e fundit ndaj Ludogorets.

Lumbardh Dellova vlerësohet 450 mijë euro, ndërsa në pesë vendet e para si lojtarët më të vlerësuar hyjnë edhe Meriton Korenica e Vesel Limaj, këta dy të fundit me vlerën 350 mijë euro.

Në anën tjetër te skuadra kundërshtare lojtari më i vlerësuar është Leroy Millar me 300 mijë euro, i cili luan në pozitën e mesfushorit qendror. Pas tij vlerën më të lartë në skuadër ka portieri i parë Rohan Ferguson me 275 mijë euro, mbrojtësi i majtë Lee Bonis 225 mijë euro, mbrojtësi i djathtë dhe kapiteni i skuadrës Tomas Cosgrove me 225 mijë euro, si dy lojtarë tjerë me vlerë 200 mijë euro, deri ka lojtarë që vlera e tyre është vetëm 10 mijë euro.

Kampioni i Kosovës po cilësohet favoritë në këtë ndeshje si dhe për të kaluar tutje, ku fituesi i përballjes do të ketë punë me Lincoln Red Imps një fazë para play-offit.

Ndeshja e sotme në Fadil Vokrri mes Ballkanit dhe Larnes zhvillohet me fillim nga ora 20:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *