Ballkani fiton derbin e madh kundër Dritës, Gjilani del i dyti

Xhiroja e 21-të e Ipko Superligës së Kosovës i solli tre ndeshje interesante në orën 15:00. Nga këto tri ndeshje dolën triumfues Ballkani, Gjilani e Trepça ’89.

Ballkani i mori tri pikë të mëdha në garën për titullin e kampionit të këtij sezoni me fitoren e rëndësishme me rezultat 2:0 kundër Dritës në stadiumin e qytetit në Suharekë, raporton Gazeta Express.

Ballkani merr fitore të madhe, mposht rivalen për titull

Ballkani i Ismet Munishit arriti ta marrë një fitore të madhe me rezultat 2:0 në ndeshjen e zhvilluar kundër Dritës, rivales në garën për titullin e kampionit të këtij sezoni të Ipko Superligës së Kosovës.

Këtë fitore klubit nga Suhareka ia dhuroi fillimisht golashënuesi më i mirë për këtë sezon, Blend Baftiu, i cili shënoi në minutën e 78-të, pasi iu kishte mohuar goli dy herë nga shtyllat e portës më parë gjatë ndeshjes (në minutën e 12-të dhe të 65-të).

Më vonë, pasi Ballkanit iu anulua në mënyrë kontroverse një gol për pozitë jashtë loje, klubi vendas e dyfishoi epërsinë përmes një supergoli të shënuar nga Edvin Kuç në minutën e 80-të.

Këto tri pikë janë të rëndësishme për ëndrrën e Ballkanit për t’u shpallur kampion në fund të sezonit pasi që kalojnë për katër pika para Dritës.

Për më tepër, Drita do të përballet me Prishtinën këtë fundjavë dhe Ismet Munishi e djemtë e tij do të tentojnë t’i shfrytëzojnë pikët që do t’i humbë të paktën njëri nga këta dy rivalë për titull me fitore kundër Flamurtarit.

Gjilani mposht kampionin në fuqi, ngrihet në vendin e dytë

Përderisa Drita u mposht nga Ballkani, rivali i tyre i qytetit, Gjilani, arriti të marrë fitore në shtëpi kundër kampionit në fuqi të Kosovës, Feronikelit. Tre pikët e kësaj ndeshjeje bënë që Gjilani të ngrihet në pozitën e dytë në tabelë.

Gjilani mori fitore me epërsi 2:1 në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Gjilan, falë dy golave të shënuar nga Fiton Hajdari. Ndërsa, golin e vetëm për mysafirët e shënoi Albert Dabiqaj në minutën e 38-të.

Llapi përmbys rezultatin dhe merr fitore në Mitrovicë

Llapi i Tahir Batatinës arriti t’i marrë tri pikët e ndeshjes kundër Trepçës ’89, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Riza Lushta”, pasi që siguroi fitore me rezultat 2:1.

Megjithatë, skuadra llapjanë s’e pati të lehtë ta marrë këtë fitore, pasi që fillimisht kaluan në epërsi vendasit, përmes golit të shënuar nga Arb Manaj në minutën e 44-t. Megjithatë, me dy golat të shënuar brenda dhjetë minutave të fundit (në minutën e 82-të shënoi Ymeri, në të 85-tën Egzon Krasniqi).

Sot në orën 17:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të zhvillohet përballja mes bardhekaltërve të Armend Dallkut dhe Ferizajt, ku Prishtina do të tentojë të marrë fitore për ta kaluar Dritën dhe për t’iu afruar Ballkanit në krye të tabelës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *