Ballkani dhe Prishtina ndajnë pikët, bardhekaltërve u shuhen ëndrrat për titull

Ballkani dhe Prishtina u ndanë me barazim me rezultat 2:2 në stadiumin e qytetit në Suharekë, rezultat ky që kryeqytetasve ua shuan ëndrrat për titull, përderisa Ballkani mund të shpresojë ende, shkaku i disfatës së Dritës.

Xhiroja e 31-të e Superligës së Kosovës e solli Prishtinën në Suharekë për përballjen me Ballkanin. Në stadiumin e qytetit u vërejtën një numër i madh i të pranishmëve, të cilët u larguan nga stadiumi para se të niste pjesa e dytë, GE.

Të dyja skuadrat e nisën ndeshjen me synimin për ta fituar ndeshjen, në mënyrë që të mbeten në garë për titull. Megjithatë, barazimi në këtë ndeshje bën që tani Prishtina ta ketë të pamundur të shpallet kampione, ndërsa Ballkani mund të ëndërrojë ende shkaku i disfatës së Dritës në derbin kundër Gjilanit.

Ndeshja nisi furishëm, pasi që Blend Baftiu e shënoi golin e tij të 19-të të sezonit në minutën e pestë të ndeshjes, nga pika e penalltisë.

Por, epërsia s’i zgjati shumë Ballkanit, pasi që Prishtina e barazoi rezultatin në minutën e 17-të, pas akordimit të penalltisë. Portieri Armend Ruxhi e priti goditjen e Endrit Krasniqit, megjithatë ai shënoi kur topi iu kthye pas pritjes së penalltisë.

Pak para përfundimit të pjesës së parë, Ballkani e ktheu epërsinë përmes supergolit të shënuar nga distanca nga Kushtrim Gashi. Ballkani pati mundësi ta thellojë këtë epërsi në minutën e 49-të, por Mirlind Daku e preku topin teksa ishte në pozitë jashtë loje.

Në minutën e 60-të të ndeshjes, Prishtina arriti ta barazojë sërish rezultatin, përmes golit të shënuar nga Otto John. Pas këtij barazimi pati tensione në fushë mes dy skuadrave.

Pas këtij barazimi, Ballkani radhitet në pozitën e dytë, me dy pikë më pak se Drita, ndërsa Prishtina radhitet në pozitën e katërt, me gjashtë pikë më pak se liderja Drita.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *