Ballkani deklason Malishevën, Dukagjini mund Gjilanin

Kanë përfunduar dy ndeshjet e para të javës së 11-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Ballkani ka shënuar një fitore të thellë në udhëtim, duke mposhtur Malishevën me rezultat 5-0.

Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi është kthyer te fitorja pas barazimit në shtëpi ndaj Gjilanit, duke treguar forcën në duel me malishevasit.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte e ekuilibruar, por me një avantazh të lehtë për mysafirët. Golin e epërsisë e realizoi Almir Kryeziu në minutën e 7-të nga pika e bardhë, duke i çuar therandasit në pushim me shifrat 0-1.

Në pjesën e dytë, Ballkani dominoi plotësisht. Bleart Tolaj shënoi dy herë (47’ dhe 61’) për të thelluar rezultatin në 0-3, ndërsa Giovanni Ribeiro (70’) dhe Valentin Serebe (76’) vulosën triumfin me 0-5.

Pas kësaj fitoreje, Ballkani ngjitet në vendin e dytë me 22 pikë, tri më pak se lideri Prishtina, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Në anën tjetër, Malisheva mbetet në pozitën e gjashtë me 13 pikë.

Dukagjini rikthehet te fitorja, mposht Gjilanin

Pas katër ndeshjeve pa fitore, Dukagjini i është kthyer fitoreve, duke triumfuar me rezultat të pastër 0-2 në udhëtim ndaj Gjilanit.

Ndeshja nisi në mënyrë perfekte për mysafirët nga Klina. Që në minutën e 7-të, kapiteni Altin Mërlaku realizoi një gol të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë, duke i dhënë epërsinë Dukagjinit.

Vendasit reaguan menjëherë dhe krijuan disa raste të mira për barazim, por pa arritur të mposhtin portierin kundërshtar. Me rezultatin 0-1 për mysafirët u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Gjilani vazhdoi me iniciativë dhe presion të vazhdueshëm, por pa konkretizuar. Në minutat e fundit, Dukagjini shfrytëzoi hapësirat e lëna pas dhe Basit Khalid, pasi hyri nga banka e rezervave, vulosi fitoren me golin e dytë për 0-2.

Me këtë fitore të rëndësishme, Dukagjini ngjitet në vendin e katërt me 17 pikë, ndërsa Gjilani mbetet në pozitën e tetë me 11 pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *