Pas interesimit nga dy gjigantet turke, Galatasaray dhe Besiktas, për transferimin e Blend Baftiut nga Ballkani tani raportohet se është futur në garë edhe klubi austriak Rapid Wien.
Blend Baftiu ishte lojtari kryesor në skuadrën e Ballkanit që befasoi tifozët e futbollit kosovar këtë sezon me formën mbresëlënëse dhe luftën për titull deri në javën e parafundit të sezonit, transmeton Gazeta Express.
Baftiu – i cili luajti për Kombëtaren e Kosovës në miqësoren kundër Suedisë në janar – e fitoi Këpucën e Artë të Superligës së Kosovës, pasi i shënoi 19 gola në 31 ndeshje të zhvilluara.
Paraqitjet e Baftiut këtë sezon, jo vetëm golat, kanë bërë që Galatasaray dhe Besiktas të interesohen për 22-vjeçarin, ndërsa gazeta turke Takvim raportoi javën e kaluar se Galatasaray po e bën gati ofertën zyrtare për Ballkanin.
Megjithatë, gara për sigurimin e shërbimeve të Baftiu nuk do të jetë e lehtë për klubet turke, pasi që tani mediumi austriak Heute shkruan se për Baftiun është interesuar edhe Rapid Wien.
Mediumi i atjeshëm, “Heute”, shkruan për interesimin e Rapidit për talentin prishtinas.
“Baftiu është golashënuesi më i mirë në ligën kosovare, një lojtar i fortë që driblon dhe ka konkretizim të shkëlqyeshëm”, shkruan gazeta e atjeshme.
“Lojtari i ekipit U-21 të Kosovës ka bërë debutimin e tij me Kombëtare dhe së fundmi u votua nga UEFA në mesin e 50 talentëve më tërheqës në Evropë”, thuhet tutje.