Azdren Llullaku ka gjetur skuadrën e re për të vazhduar karrierën e tij.
Futbollisti sot ka hedhur firmën në kontratë duke u kthyer zyrtarisht në kampionatin rumun të futbollit.
Por ajo që çudit është se sulmuesi kosovar ka preferuar që të shkojë të luajë në kategorinë e dytë në këtë vend, para Kukësit që i kishte bërë një ofertë zyrtare edhe për të luajtur në Europë.
Llullaku ka firmosur sot për ekipin e Konkordia Çiajna, në kategorinë e dytë rumune, jo një prej klubeve më të mira në vend.
Mjafton të shohësh që skuadra në fjalë ka mbyllur sezonin e fundit në vendin e 16 në kategorinë e dytë, për të kuptuar se sulmuesi 32-vjeçar ka zgjedhur një ekip shumë më të dobët sesa niveli i kampionatit shqiptar.
Kjo është eksperienca e katërt e Llullakut në futbollin rumun ku ka luajtur më parë me Gaz Metan, Poli Iashi dhe Astra.
Në Rumani ai përjetoi edhe sezonin më të mire të karrierës, kur në vitin 2016 u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit rumun dhe siguroi edhe një fanellë në radhët e përfaqësueses shqiptare.