Edhe pse merkatoja nuk ka filluar zyrtarisht, për shqiptarin e Empolit pritet të jetë sot dita vendimtare, me takimin mes drejtuesve të të dyja klubeve që mund të jetë edhe konkretizuesi i operacionit.
Bisedimet për mesfushorin që do të jetë alternativa e Brozoviçit, janë të avancuara, pasi është vënë në dijeni jo vetëm lojtari dhe agjentët e tij, por edhe toskanët, të cilët e kanë konfirmuar prej kohësh që Interi ka trokitur për 20-vjeçarin.
Kështu për djaloshin nga Elbasani pritet që sot të mbyllen detajet e tratativës me presidentin Korsi që kërkon 15 milionë euro për të lënë të lirë xhevahirin e tij dhe me drejtuesit zikaltër, të cilët kërkojnë të ulin çmimin duke përfshirë Sebastiano Espoziton në shkëmbim.
Edhe nëse Empoli reziston, Interi nuk ka ndërmend të heqë dorë dhe do të nxitojë për të firmosur me Kristjanin pasi shikon tek ai mundësinë që të jetë e ardhmja e mesfushës zikaltër, duke parë cilësitë teknike, për më tepër nëse do të ketë në krah një ‘profesor” të repartit si Marselo Brozoviç.