Mesfushori i Shqipërisë Kristjan Asllani ka thënë se mezi e priste ndeshjen me Italinë dhe nuk e fshehu zhgënjimin që nuk e nisi nga minuta e parë, teksa tha se për aktivizimin e paktë, duhej pyetur trajneri Reja.
“Kam dy muaj që e prisja këtë takim dhe doja të luaja nga fillimi. Nuk e nisa titullar dhe nuk ka problem. Kur erdhi momenti im, u përpoqa të ndihmoj skuadrën. Nuk ia dolëm, por besoj se kemi bërë një ndeshje të mirë.”, tha fillimisht ai.
“E nisëm mirë këtë ndeshje dhe duhej të mbanim sa më shumë avantazhin, por nuk ia dolëm. Më pas kishim raste të rihapnim ndeshjen , por nuk na eci as me traversat, përveçse kundërshtari është shumë i fortë.”, shtoi më tutje ai.
Për minutat e pakta në fushën e lojës, mesfushori i Interit tha se duhet pyetur trajnerin Edui Reja.
“Nuk e di dhe për këtë duhet të pyesni trajnerin. Unë jam këtu, stërvitem mirë dhe jam gjithmonë gati, por nuk e di pse nuk aktivizohem shumë. Komunikimi është njësoj si me gjithë të tjerët. Unë e respektoj dhe ai më respekton. Jam gjithmonë i lumtur kur vij këtu, por në fund zgjedhjet i bën ai.”, tha në fund Asllani. /SS/