Mikel Arteta, trajneri i Arsenalit, vazhdon të besojë në fitimin e Premierligës, pavarësisht se Manchester City do jetë në krye.
“Ne ende mund ta fitojmë Premier League, kemi pesë ndeshje para dhe shumë gjëra do të ndodhin ende. Nuk është më në duart tona, ne mund të përpiqemi vetëm të fitojmë ndeshjet e mbetura dhe pjesa tjetër varet nga Manchester City. Nuk është e nevojshme të ngrihet motivimi i lojtarëve, ata vazhdojnë njejtë. Ajo që duhet të bëjmë është të harrojmë atë që ndodhi javën e kaluar, të mësojmë prej saj dhe të vazhdojmë në ndeshjen e radhës”, tha ai në konferencën për shtyp para takimit me Chelsean.
Arsenali tashmë e ka siguruar prezencën në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, diçka që nuk ka ndodhur për gjashtë vite.
“Para së gjithash, duhet të pranojmë se shumë njerëz na bënë të mundur që ne sezonin e ardhshëm të jemi në Ligën e Kampionëve. Ishte diçka e vështirë për t’u arritur dhe shumë njerëz nuk besonin dhe nuk ishin optimistë se mund të ndodhte. Kjo është ajo që më pëlqen më shumë, ne tashmë e kemi siguruar Champions League dhe njerëzit janë ende të pakënaqur”, përfundoi ai.