Dueli kryesor i javës së 20-të në Superligën e Kosovës në futboll do të zhvillohet në “Fadil Vokrri”.
Në tempullin mitik të kryeqytetit do të përballen Prishtina dhe Ballkani, dy skuadra që mëtojnë titullin kampion këtë edicion.
Dy skuadrat ndodhen në përgatitjet e fundit në prag të kësaj ndeshje, derisa fitorja është alternativa e vetme për secilën.
Optimist para këtij dueli janë shfaqur suharekasit që synojnë ta vazhdojnë ecurinë e mirë të rezultateve pozitive.
Për t’i motivuar futbollistët edhe më shumë drejt këtij objektivi është përkujdesur presidenti i klubit, Arsim Kabashi, i cili ka ofruar premio për futbollistët në rast të fitores.
Ky informacion është konfirmuar për Gazetën “Blic” nga drejtori i këtij klubi Arben Osmani.
“Po do të ketë premio për lojtarët”, ka thënë shkurtimisht Osmani për këtë medium, pa dashur të komentojë më shumë rreth shumës.
Vlen të theksohet se Ballkani ndodhet në vendin e parë me 40 pikë, kurse Prishtina në vendin e tretë me 37 pikë, po aq sa Drita që ndodhet në pozitën e dytë.