Arsenali vazhdon me fitore në Premierligë, City e demolon Nottinghamin nën shkëlqimin e Haaland

Arsenali ka vazhduar me bilanc të qind për qind në pesë xhirot e para kampionale në Premierligë, duke e mposhtur tani Aston Villën me rezultat 2:1.

“Topçinjtë” krijuan avantazh pas gjysmë ore lojë kur braziliani Jesus kaloi vendasit në epërsi në stadiumin “Emirates”.

Punët për londinezët u komplikuan në minutën e 74-të kur Douglas Luiz barazoi shifrat nga korneri.

Megjithatë, Arsenali nuk u dorëzua dhe vetëm pas tre minutave lojë, Martinelli shënoi golin e dytë dhe të fitores për ekipin e Mikel Artetas.

Arsenali me këtë fitore mbetet lider me 15 pikë, ndërkohë Aston Villa ka vetëm tri pikë dhe zë vendin e parafundit.

Fitore, por shumë më të thellë ka arkëtuar edhe Manchester City që e mundi 6:0 Nottingham Forestin në “Etihad Stadium”.

Në këtë fitore të madhe për Cityn shkëlqeu ylli norvegjez, Erling Haaland (12’ 23’ 38’) që shënoi tre gola brenda 26 minutave në fraksionin e parë të lojës.

Golat tjerë për “Qytetarët” i realizuan Cancelo në minutën e 50-të dhe Alvarez në minutat 65 dhe 88-të.

Man City zë vendin e dytë me 13 pikë, kurse Nottingham Forest ka katër pikë në pozitën e 15-të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *