Arrestohet futbollisti i Gjilanit, dyshohet se e rrahu një grua

Sulmuesi i Gjilanit në Superligën e Kosovës, Theophilus Solomon, është arrestuar të premten, në bazë të një fletarrestimi ndërkombëtar, mëson Gazeta Nacionale.

Solomon, 27 vjeç, dyshohet se e kishte rrahur një grua gjatë kohës sa luante në Shqipëri për Partizanin e Tiranës, sipas burimit të Nacionales.

Sulmuesi nigerian kishte fletarrestim ndërkombëtar për veprën penale dhunë fizike dhe u arrestua në Kosovë sot gjatë ditës për këtë arsyeje. Ai dyshohet se e kishte goditur me shuplaka një grua gjatë vitit 2020 në Tiranë.

Solomon ishte pjesë e ekipit shqiptar nga vera e vitit 2019 deri në janar të vitit 2021.

Ai iu bashkua Gjilanit nga kampioni i Kosovës Ballkani verën e kaluar, dhe ka kontribuuar me 6 gola në 18 paraqitje për klubin kuqebardh, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2024.

Solomon e fitoi titullin e kampionit të Kosovës sezonin e kaluar me Ballkanin, i cili ishte i pari në histori për klubin nga Suhareka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *