Vetëm një ditë pasi prishi me marrëveshje kontratën me bolivianët e Bolivar, Armando Sadiku ka gjetur menjëherë klubin ku do të vijojë karrierën.
Sulmuesi nga Elbasani është rikthyer në Segunda Division të Spanjës, pasi ka firmosur për një sezon me klubin e Las Palmasit.
Lajmin e ka dhënë vetë klubi spanjoll nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, ku ndër të tjera sqaron se sulmuesi Sadiku pritet të mbërrijë në Spanjë vetëm ditën e diel, për të nisur zyrtarisht përgatitjet nga e hëna e ardhshme.
“Sadiku është një pikë referimi në sulm, por që gjithashtu dallohet edhe për lëvizshmëri të lartë. Ai është një finalizues mjaft i mirë, por njëkohësisht shumë i zoti edhe në lojën me topin e kombinime. Sadiku vjen te Las Palmas për të sjellë cilësi ndryshe dhe kompletuar repartin e sulmit, teksa vlen të theksohet se e njeh mirë futbollin spanjoll pasi më herët ka luajtur për Levanten e Malagën”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Las Palmas.
Welcome @ArmandoSadiku pic.twitter.com/Z0lTjrgpP0
— ?? UDLaspalmasUK ?? (@UDLP_UK) July 29, 2021
Sulmuesi 30-vjeçar rikthehet kështu në kampionatin spanjoll pas vetëm një viti, të cilin e kaloi gjysmën në kampionatin turk te Erzurumspor dhe gjysmën tjetër te Bolivari në Amerikën e Jugut, por në të dy këto klube nuk arriti të lërë gjurmë.
Pikërisht në Segunda Division Sadiku ka bërë sezonin më të mirë të 5 viteve të fundit, pasi ka luajtur plot 36 ndeshje në periudhën 2019-2020 dhe ka arritur të shënojë edhe 13 gola, ndërsa tani do të provojë të përsërisë veten edhe me fanellën e Las Palmasit. /SS/