Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) Armand Duka sërish i ka qëndruar besnik asaj që ka deklaruar vazhdimisht, që Shqipëria është për të gjithë lojtarët shqiptarë, pa dallim a vijnë nga Kosova apo Maqedonia e Veriut.
Kohëve të fundit ka pasur shumë polemika shkaku që Shqipëria po ia merrte lojtarët Kosovës, ku emra si Medon Berisha, Adrion Pajaziti, Arbnor Muja, Arbër Hoxha e Mirlind Daku e lanë fanellën dardane për të përfaqësuar “Kuq e Zinjtë”.
Megjithatë, kjo “strategji” duket se nuk ka ndryshuar. Duka në një intervistë për “TV 21” të Maqedonisë konfirmoi se dyert mbesin të hapura për lojtarët shqiptarë.
“Ne kemi hapur dyert për ekipin kombëtar prej vitesh për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe besoj se kjo është gjëja më e mirë që kemi bërë. Jemi me fat që kemi kaq shumë tifozë jo vetëm brenda kufijve shtetërorë, por edhe jashtë saj. Në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë dhe jashtë saj. Strategjia jonë ka qenë që çdokush që flet shqip, që ka dëshirë, talent dhe do të kontribuojë për Kombëtaren dhe flamurin kuqezi, ne i kemi hapur dyert”.
“Edhe në kohën kur Kosova nuk kishte skuadër, që ishte një urë për ta afruar Kosovën me FIFA-n dhe UEFA-n dhe jemi të lumtur që kemi kaq shumë talente shqiptarë. Do të respektojmë vendimet e tyre për të kontribuar për kombëtaren e Shqipërisë apo edhe nëse vendosin ndryshe”.
Ndër të tjera, ai konfirmoi se ka raporte të shkëlqyer me FFK-në, si dhe e ka njoftuar kryetarin Agim Ademi se kjo “politikë” për lojtarët mbetet e pandryshueshme.
“Ne kemi raporte të shkëlqyera vëllazërore me Federatën e Kosovës. Respektojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin në të gjitha hapat e zhvillimit tonë. Kemi kontribuar maksimalisht edhe në kohën kur Kosova nuk kishte mundësi të ishte apo nuk kishte ndeshje ndërkombëtare, nuk ishte e njohur, kishte më pak mundësi”.
“Të njëjtën gjë bëjmë tani, ndërsa ja kam bërë qartë publikisht dhe zyrtarisht Agim Ademi dhe gjithkujt, që çdo njeri, çdo shqiptar që dëshiron të kontribuojë për Kombëtaren e Shqipërisë, ne do të vazhdojmë të kemi të njëjtën politikë. Padyshim që nuk mërzitemi nëse ata vendosin ndryshe. Nuk mërzitemi. Kemi dëshirë që ato të jenë më mirë vetëm me ne, por nëse vendosin ndryshe…”, shtoi ai./Telegrafi