Anthony Joshua respektoi parashikimet dhe mundi pa shumë vështirësi veteranin bullgar, Kubrat Pulev, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë sfidës së madhe me boksierin tjetër britanik Tyson Fury.
Në Londër AJ e mbylli duelin e tij me “kobrën” me “knock out” në raundin e 9-të dhe menjëherë pas mbrojtjes së titujve në versionet WBA, IBF, WBO e IBO 31-vjeçari britanik i hodhi dorashkën rivalit të tij.
Në krahun tjetër Tyson Fury kishte kohë që po këmbëngulte për një përballje të madhe ndërmjet dy boksierëve britanikë, kështu që tani gjithçka duket gati për një sfidë të madhe ndërmjet dy boksierëve më të mirë të këtyre viteve të fundit.
Promotori i famshëm i Joshua-s, Eddie Hearn, deklaroi se do të mjaftonin vetëm dy ditë për të siguruar një marrëveshje ndërmjet palëve dhe kopsitur gjithçka. Joshua – Fury përfaqëson sfidën e sfidave dhe pse jo, ndoshta edhe një ndër ngjarjet sportive më të famshme në historinë e Mbretërisë së Bashkuar. Steka është ngritur vërtet shumë lart për të dy këta boksierë, që për hir të së vërtetës prej kohësh nuk bëjnë gjë tjetër përveçse thumbojnë njëri – tjetrin në distancë.
Në fakt bëhet fjalë për një derbi britanik, që ka marrë përmasa botërore dhe një duel të jashtëzakonshëm ndërmjet dy boksierëve që urrehen. Anthony Joshua është 31-vjeç dhe ka lindur në Watford, nga prindër me origjinë nigeriane, ndërsa “Gypsy King” është vetëm 10 muaj më i madh në moshë dhe ka lindur në Manchester nga prindër irlandezë. Bisedimet ndërmjet palëve për këtë sfidë të madhe nisën që në fillim të javës, për të sheshuar çdo mosmarrëveshje dhe shtruar rrugën për caktimin e një date brenda vitit 2021. Natyrisht që gjithçka lidhet me një periudhë të vështirë, që ka kushtëzuar çdo aktivitet në të gjithë globin, kështu që palët janë të interesuara për ta zhvilluar këtë duel në një moment të dytë, pasi të ketë rënë forca e pandemisë së Koronavirusit.
41-vjeçari i mirënjohur nga Londra Lindore, Eddie Hearn, tha se gjërat nuk janë aspak të vështira dhe pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet palëve thjeshtë sa duhen lajmëruar federatat e ndryshme, në lidhje me një datë paraprake, që sipas tij mund të jetë diku pranë fundit të muajit maj. Virusi Covid – 19 sigurisht ka influencuar ndjeshëm edhe sportin e boksit, e në fakt si AJ ashtu edhe “Gypsy King” kanë zhvilluar vetëm nga një ndeshje përgjatë 12 muajve të fundit, gjithsesi dëshira për të parë një duel të këtyre përmasave është vërtet shumë e madhe.
Menjëherë pas suksesit të Joshua-s në mesnatë Fury postoi në rrjetet sociale një video, ku shprehte dëshirën e jashtëzakonshme për t’u ndeshur dhe për ta hedhur “knock out” boksierin me origjinë nigeriane. Promotori i famshëm që drejton kompaninë “Matchroom Sport”, Eddie Hearn, mendon se i vetmi problem mund të lindë nga drejtuesit e federatave të tjera, që mund të përcaktojnë një rrugëtim të ndryshëm për dy boksierët anglezë.
Kështu krerët e Federatës WBC mund të këmbëngulin për një sfidë të tretë ndërmjet Tyson Fury-t dhe amerikanit Deontay Wilder, që me boksierin nga Manchesteri ka pësuar humbjen e vetme në karrierë, ndërsa drejtuesit e Federatës WBO mund të insistojnë që Anthony Joshua të përballet me sfidantin që ka radhën, 33-vjeçarin ukrainas Oleksandr Usyk, që ka rekord perfekt, 18 fitore në 18 ndeshjet e zhvilluara. Nëse ndodh kjo atëherë dy sportistët do të duhet të heqin dorë nga titujt e tyre për t’I hapur rrugë në këtë mënyrë ndeshjes më të madhe në historinë e boksit britanik.
Trajneri i AJ, Rob McCracken, deklaroi pas triumfit me bullgarin Kubrat Pulev se boksieri i tij po përmirësohet gjithmonë e më shumë, madje ai shkoi përtej duke parashikuar dy ndeshje ndërmjet Joshua-s dhe Fury-t gjatë vitit 2021, ndërkohë në krahun tjetër bookmakers-at i shikojnë gjërat ndryshe, teksa kuotojnë kampionin në fuqi të botës në versionin WBC, Tyson Fury, si favorit, për të fituar brezat në Federatat IBF, WBA dhe WBO, nëse do të mundësohet ky duel ndërmjet tyre.
Nëse arrihet marrëveshja atëherë dueli Joshua–Fury do të bashkojë për herë të parë në historinë e peshave të rënda katër titujt më të rëndësishëm, në një duel të ashpër, që sipas zërave të ndryshëm pritet të mbahet në stadiumin mitik Wembley, në praninë e 100.000 spektatorëve dhe prej nga ku boksierët mund të përfitojnë nga plot 100 milionë stërlina secili. /SS/