Angelovski ja ka frikën dy lojtarëve të ‘Dardanëve’

Angelovski në një intervistë dhënë të martën për “Kohën Ditore” ka thënë se rreziku më i madh për ekipin e tij kundër “Dardanëve” do të jetë nga sulmuesit Vedat Muriqi dhe Milot Rashica, kur kanë mbetur edhe një muaj deri te ndeshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Ndeshja gjysmëfinale e Ligës D të Ligës së Kombeve do të zhvillohet më 26 mars në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup nga ora 20:45. Angelovski nuk ka pasur fjalë të mira vetëm për repartin e sulmit, por në përgjithësi për ekipin që drejtohet nga Bernard Challandes.

“Kosova është një ekip i fortë, me lojtarë të dëshmuar si Muriqi, Rashica, Rrahmani e disa të tjerë. Natyrisht, rreziku më i madh te Kosova mund të vijë nga reparti i sulmit, pasi Muriqi dhe Rashica këtë edicion kanë treguar paraqitje të mira, duke u shndërruar në lojtarë të rëndësishëm tek ekipet që luajnë”, ka thënë Angelovski.

Shefi i shtabit teknik te Maqedonia thotë se krahas futbollistëve të tij, ai tashmë po i përcjell me vëmendje të madhe edhe lojtarët e Kosovës.

Se frikësohet prej dyshes Rashica – Muriqi, Angelovski ka zbuluar se sulmuesin e Fenrbahçes e ka përcjellë nga afër në ndeshjen e kampionatit të Turqisë kundër Is tanbul Bashakshehirit më 25 janar. Këtë ndeshje e fitoi Fenerbahçe me rezultatin 2:0 dhe Muriqi ishte në listën e golashënuesve.

“Së fundi e kam përcjellë nga afër Muriqin në ndeshjen që Fenerbahçe e luajti kundër Bashakshehirit në kampionatin e Turqisë, pasi dua që të jemi të përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi në fazën e përcjelljes së lojtarëve të të dyja ekipeve, pasi ka mbetur edhe një muaj deri te përballja që është historike si për ne ashtu edhe për Kosovën”, ka shtuar ai.

Muriqi 25-vjeçar këtë edicion për Fenerbahçen ka shënuar 13 gola dhe ka bërë gjashtë asistime në 24 paraqitje në të gjitha garat, ndërsa Rashica 23-vjeçar ka dhjetë gola e katër asistime në 24 ndeshje të luajtura në Gjermani

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *