Pas pesë vitesh e gjysmë Dani Alves rikthehet në Camp Nou.
Edhe pse ishte bërë zyrtare prej ditësh, mesditën e së mërkurës mbrojtësi brazilian ka bërë prezantimin zyrtar duke nënshkruar dhe kontratën e rikthimit te Barcelona.
38-vjeçari nuk e fshehu aspak gëzimin e një rikthimi që ai e dëshironte shumë, tek skuadra ku arriti që të kalonte vitet më të arta të karrierës së tij, ndërsa tashmë synon që të japë nga eksperienca për ta ringritur sërish skuadrën blaugrana.
Ndonëse në një moshë të madhe, Alves shihet si një lojtar që do i japë garanci prapavijës së Barcelonës, që ka treguar se ka jo pak probleme nga ikja e brazilianit katalanasit e kanë pasur të vështirë që të gjejnë një pasues, aq sa u detyruan që të rikthejnë 38-vjeçarin sërish.
Në fjalët e tij të para Alves u shpreh i lumtur, duke e konsideruar një ndjesi të papërshkrueshme emocionin që ndjen se do të veshë sërish fanellën e Barcelonës.
“Nuk mund ta përshkruaj atë çka ndjej. E kam ditur që do të kthehem një ditë sërish këtu. Isha mëse i bindur, që ditën që kur u largova se do të isha sërish një ditë pjesë e Barcelonës dhe ja ku jemi. Për ata që dyshojnë tek unë? Do ua jap përgjigjen në fushën e lojës, aty do të flas unë. Dyshimet më bëjnë më të fortë dhe do ta dëshmoj diçka të tillë. Kur fola me presidentin i thashë se dua të ndihmoj skuadrën edhe sikur të mos paguhem”, ishin fjalët e Alves.