Ylli i Paris Saint-Germain, Neymar ka thënë në një gjykatë të martën se ai nuk mori pjesë në negociata për transferimin e tij te Barcelona nga Santos në vitin 2013.
30-vjeçari, së bashku me prindërit e tij, ish-presidentët e Barcelonës, Sandro Rosell dhe Josep Maria Bartomeu, ish-presidenti i Santos, Odilio Rodrigues, dhe përfaqësuesit e të dy klubeve, janë në gjyq nën akuzat për mashtrim dhe korrupsion mbi transferimin e tij, akuza të cilat ata e mohojnë.
Santos mësohet se ka marrë rreth 79.2 milionë funte për transferimin e Neymar në Barcelonë, por grupi brazilian i investimeve DIS, i cili zotëronte atë kohë 40% të të drejtave ekonomike të Neymar gjatë kohës që ai ishte në Santos, pretendon se humbi shumë ekonomikisht për shkak se çmimi i lojtari ishte shtrembëruar.
Paulo Nasser, avokat që përfaqëson firmën, pretendoi javën e kaluar se Neymar tradhtoi besimin e tyre dhe grupi i investimeve dëshiron që braziliani të marrë një dënim me pesë vjet burg.
Ndërkohë, prokurorët spanjollë po kërkojnë një vendim me dy vjet burg dhe një gjobë prej 10 milionë euro për Neymar, si dhe një dënim me pesë vjet burg për Rosell nëse shpallet fajtor.
Rosell shërbeu si president i Barcelonës midis viteve 2010 dhe 2014 dhe u zëvendësua nga Bartomeu, i cili shërbeu deri në tetor 2020, me Joan Laportan të emëruar më pas si pasardhës të tij.
Duke folur në gjykatë në Barcelonë në dëshminë e tij të parë, Neymar tha:
“Unë nuk kam marrë pjesë në negociata. Babai im është kujdesur gjithmonë për këtë dhe gjithmonë do të jetë. Unë firmos gjithçka që ai më thotë të nënshkruaj. Të luaja për Barcelonën ishte gjithmonë ëndrra ime, një ëndërr fëmijërie”.
Deri te një vendim final rreth kësaj çështje do të nevojitet edhe shumë kohë, por braziliani rrezikon të marrë një dënim jo edhe të lehtë.