Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi pas marrjes së një mandati të ri në krye të FFK-së, ka falënderuar delegatët e Kuvendit për besimin e dhënë derisa ka premtuar një punë më të madhe ne zhvillimin dhe ngritjen e futbollit tonë.
“Një falënderim i veçantë për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino dhe atë të UEFA-s, Aleksandër Çeferin, për mbështetjen e tyre të parezervë ndaj projekteve të FFK-së”, ka thënë ndër të tjera Ademi që mori besimin e 42 delegatëve nga 43 sa ishin në kuvend.
Postimi i plotë i Agim Ademit:
Të nderuar miq,
Jam jashtëzakonisht i nderuar dhe i lumtur që sot më është besuar drejtimi i Federatës së Futbollit të Kosovës edhe për një mandat të ri katërvjeçar nga shumica absolute e delegatëve të Kuvendit të FFK-së.
Jam pafundësisht falënderues ndaj komunitetit të futbollit, delegatëve, Komitetit Ekzekutiv të gjithë akterëve tjerë të futbollit të cilët më kanë përkrahur dhe kanë besuar në punën time.
Një falënderim i veçantë për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino dhe atë të UEFA-s, Aleksandër Çeferin, për mbështetjen e tyre të parezervë ndaj projekteve të FFK-së.
Mirënjohje e respekt për presidentin Armand Duka e presidentin Muhamed Sejdini, si dhe presidentin e KOK-ut, Ismet Krasniqi, por edhe të gjithë drejtuesit e institucioneve tona.
Ju premtoj se me përgjegjësinë dhe përkushtimin më të madh do të vazhdoj të punoj vetëm për të mirën e futbollit.
Do të jem i hapur për çdo bashkëpunim që është në dobi të futbollit dhe me shumë kujdes do të veprojmë bashkë për futbollin.
Futbolli i Kosovës është në rrugën e duhur, prandaj ne do ta shtyjmë atë përpara duke i ndihmuar klubet, futbollistët e futbollistet tona, duke u krijuar kushte dhe duke i motivuar të rinjtë që t’i bashkohen futbollit dhe të punojnë për imazhin e tyre dhe të vendit.
Ju falënderoj shumë të gjithëve dhe na priftë e mbara së bashku në rrugëtimin e ri katërvjeçar.
A.A.