Agim Ademi reagon pas zërave për largimin e trajnerit Franco Foda

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka reaguar duke mohuar raportimet për një largim të mundshëm të përzgjedhësit të Kosovës, Franco Foda.

Gjatë mbrëmjes së djeshme (e mërkurë) u raportua nga mediat e Emirateve Arabe se Foda mund të largohet nga Kosova, pas një oferte nga klubi i njohur i këtij vendi, Al-Wahda.

Largimi i përzgjedhësit gjerman u tha se do të ndodh këtë verë, para nisjes së ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2026, duke shkaktuar frikë tek sportdashësit e Kosovës.

Megjithatë, nuk ka vonuar shumë dhe ky lajm është mohuar nga i pari i FFK-së, Agim Ademi, i cili ka thënë se nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar nga përfaqësuesit e Fodës dhe synojnë që kontrata të respektohet.

“Pas raportimeve se përzgjedhësi Franco Foda është pranë largimit nga posti i tij në Kombëtaren tonë, dëshiroj të informoj opinionin publik se as unë, si President, dhe as FFK-ja si institucion, nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar nga përfaqësuesit e përzgjedhësit Foda apo nga ndonjë palë tjetër”.

“Foda aktualisht ka obligime kontraktuale me ne dhe presim që ato obligime të përmbushen, veçanërisht tani, në këtë fazë të rëndësishme të fushatës kualifikuese për Kampionatin Botëror, drejt së cilës shkojmë me optimizëm dhe dëshirë të madhe për sukses”, ka shkruar Ademi në profilin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *