Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka konfirmuar edhe njëherë sulmin që i është bërë atij sot në mëngjes në parkun e Gërmisë.
Përmes një komunikate të lëshuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, Ademi ka dhënë detaje se si ishte sulmuar.
Numri një i FFK-së ka thënë se ai është sulmuar nga persona të maskuar, ndërsa ka shtuar se nuk ka lëndime serioze.
Deklarata e plotë e Agim Ademit:
Duke pasur parasysh interesimin e madh të dashamirëve dhe të opinionit publik pas raportimit për sulm fizik ndaj meje, fillimisht dua të ju informoj se jam mirë me shëndet dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë lëndim siç është raportuar.
Është e vërtetë që sot rreth orës 8:00 jam sulmuar fizikisht nga persona të maskuar në parkun e Gërmisë, aty ku çdo ditë e praktikoj ecjen dhe vrapimin në natyrë.
Personat në fjalë më sulmuan në mënyrë tinzare, por që fatmirësisht kalova pa lëndime serioze.
Lidhur me këtë rast është informuar edhe Policia e Kosovës, e cila tashmë është duke i kryer hetimet. Shpresoj dhe besoj se shumë shpejt personat e tillë do të dalin para organeve të drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar.
Përkundër sfidave në punë, por edhe pengesave të këtij lloji, do të vazhdoj me tërë energjinë time t’i shërbej futbollit dhe ngritjes së mëtejme të FFK-së.
Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi!