“AFP”: S’ka më dyshime, Hakimi akuzohet për përdhunim

Achraf Hakimi do të përballet me akuzën për përdhunim. Sipas “AFP”, bazuar në burimet e tyre, drejtësia franceze tashmë e konsideron marokenin si të akuzuar dhe jo më si të dyshuar siç u raportua pak ditë më parë.

Të dielën e kaluar, një vajzë 24-vjeçare nga Fontenay-sous-Bois në periferi të Parisit, shkoi në një stacion policor duke pretenduar se ishte përdhunuar nga lojtari i PSG-së.

Ndonëse raportohet se ajo nuk ka dashur të ngrejë akuza, punonjësi i policisë në detyrë ka njoftuar menjëherë eprorët e tij në selinë e policisë lokale e rajonale për shkak të ashpërsisë të deponimit.

Prokuroria e Créteilit fillimisht e mori çështjen, por që atëherë ajo është transferuar në prokurorinë e Nanterres, për shkak se faktet kanë ndodhur në Boulogne-Billancourt, qytet pranë stadiumit “Parc des Princes”.

Avokati i marokenit, Fanny Colin, ka mohuar akuzat , ndërsa ekipi lideri i Ligue 1 është rreshtuar në mbështetje të lojtarit të vet. “Akuzat janë të rreme. Ai është i qetë dhe po vihet në dispozicion të autoriteteve”, tha Colin.

24-vjeçarja tani ruhet nga autoritet përkatëse ndërsa Hakimi ishte në stërvitje me PSG-në këtë të premte në mëngjes në “Camp des Loges” dhe besohet se do të jetë në fushë të mërkuën në Mynih ku ekipi francez sfidon 6 herë kampionët e Europës, Bayern-in e Mynihut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *