Adetunji ia mohon fitoren Llapit, Ferizaj e mposht Dukagjinin

Llapi ka luajtur baras me rezultat 1-1 në shtëpi ndaj Ballkanit në kuadër të javës së 26-të në elitën e futbollit kosovar.

Pjesa e parë u dominua nga llapjanët të cilët përveç se shënuan golin e fitores, patën edhe një tjetër rast shënimi.

Në minutën e 24-të, Llapi fitoi penallti të cilën e shndërroi në gol Ardit Tahiri i cili u tregua i saktë përballë Artan Iljazit për rezultatin 1-0.

Pak çaste pa përfunduar pjesa e parë, një mundësi të artë shënimi për të dyfishuar rezultatin e shpërdoroi Valmir Veliu.

Ballkani e nisi pjesën e dytë me një fytyrë krejtësisht tjetër, ku në fund ia doli ta gjejë edhe golin e barazimit.

Ishte Queven Inacio i cili në harkun e tre minutave bëri dy goditje tejet të rrezikshme, por portieri i Llapit, Marian Coric bëri dy super pritje për t’i mohuar golin.

Një tjetër rast për Ballkanin erdhi në minutën e 57-të nga rivënia këndore, por Sunday Adetunji nuk arriti ta gjejë dot kuadratin e portës me kokë.

Po luhej minuta e 90-të e takimit kur pas një harkimi brenda zonës, Adentuji u gjend mirë në zonë për ta çuar topin në rrjetë për 1-1.

Pas këtij barazimi Ballkani shkon në kuotën e 44 pikëve dhe ka 13 më pak se lideri Drita që ka 57 sosh.

Llapi në anën tjetër mbetet në zonën e rënies me 30 pikë të grumbulluara pas 26 ndeshjeve të luajtura.

Në anën tjetër, Ferizaj ka fituar me rezultat 2-1 ndaj Dukagjinit.

Ekipi i Arsim Abazit ka arritur të fitojë ndeshjen ndaj një rivali direkt si Dukagjini i Ismet Munishit.

Pjesa e parë u karakterizua me lojë thuajse të barabartë, me të dyja skuadrat që patën rastet e veta, por pa arritur t’i konkretizojnë dhe shkuan në pushim me rezultat të barabartë 0-0.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e hapur dhe me më shumë raste nga të dyja skuadrat, ku u shënuan edhe tre gola.

Fillimisht ishte vendasit që shënuan dy herë me anë të Ardit Topalaj (51’) për epërsinë 1-0 dhe vetëm dy minuta më vonë ishte Erion Sadriu, i cili shënoi për 2-0.

Dukagjini arriti të kthehet në lojë duke shënuar në minutën e 67-të një supergol me anë të Vitor Hugo për 2-1, por deri në fund nuk pati gola tjerë dhe në fund Ferizaj mori tri pikët.

Pas kësaj fitore, Ferizaj e sheh veten në pozitën e gjashtë me 35 pikë, ndërsa Dukagjini renditet i teti me 32 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, ferizajasit udhëtojnë te Gjilani, teksa klinasit e presin Llapin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *