Ademi viziton edhe stadiumet e Gjilanit, ka një apel për MKRS-në dhe klubet

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi pas Pejës, Klinës ka vizituar brenda ditës së sotme edhe Gjilanin.

Ademi ka vizituar stadiumet e kryeqendrës së Anamoravës teksa ka ndarë edhe pamjet në llogarinë e tij në Facebook, shkruan Demokracia.com.

I pari i shtëpisë së futbollit të Kosovës i ka bërë apel Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të veprojë sa më shpejtë, në mënyrë që të përfundojnë projektet e ndërprera të stadiumeve në Gjilan, Pejë e Mitrovicë.

Ademi ka sugjeruar klubeve përkatëse që veprojnë në këto stadiume që të kërkojnë nga komunat ku e zhvillojnë aktivitetin që t’u jepen stadiumet në shfrytëzim në afat të gjatë prej 99 vjetësh.

Postimi i plotë i Agim Ademit:

Sot isha për vizitë edhe në stadiumet e Gjilanit, në fushën me bari sintetik të ndërtuar nga federata dhe në Stadiumin e Qytetit, ku takova mirëmbajtësinë e fushës dhe punëtorin e madh, Avdullah Syla (Dulla), e ku nga afër e pashë gjendjen e fushave.

Edhe një herë kërkoj dhe e lus ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku që të veprojë sa më shpejtë, në mënyrë që të përfundojnë projektet e ndërprera të stadiumeve në Gjilan dhe në Pejë, por edhe në stadiumet e tjera, të cilat janë në punim e sipër, e sidomos stadiumi olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, pasi është bërë goxha kohë që kanë filluar punimet.

Po ashtu, u sugjeroj klubeve përkatëse që veprojnë në këto stadiume që të kërkojnë nga komunat ku e zhvillojnë aktivitetin që t’u jepen stadiumet në shfrytëzim në afat të gjatë prej 99 vjetësh (siç u veprua në Komunën e Prishtinës, që iu nda toka festivalit ‘Sunny Hill’ për 99 vjet).

Konsideroj se kjo është një metodë me të cilën duhet të veprohet edhe për stadiumet e futbollit dhe jam i lumtur që ky ligj ka filluar të të zbatohet në praktikë nga Kuvendet Komunale, pasi kjo na jep mundësi neve si FFK që të investojmë me fondet e UEFA-s dhe FIFA-s në këto stadiume.

Për të investuar me këto fonde minimumi duhet që klubeve t’u jepen në shfrytëzim stadiumet nga 45 vjet. Andaj, apeli im për të gjitha klubet dhe organizatat e futbollit është që kur kërkojnë tokë nga komunat me destinacion fushat e futbollit, kërkesën në asambletë komunale ta bëjnë për 99 vite shfrytëzim.

Po ashtu, kërkoj nga klubet dhe regjionet që të bëjnë mirëmbajtjen e objekteve dhe stadiumeve, e sidomos fushave të lojës, me përkushtim dhe me kujdes maksimal.

Gjithashtu, shumë shpejt do të riorganizohet Regjioni i Gjilanit për t’u bërë sa më funksional.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *