Ademi vazhdon realizimin e projektit katërvjeçar: Pikat strategjike të programit tim kanë filluar të finalizohen një nga një

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi përmes një statusi në Facebook, është parë i lumtur që sot futbollistët kosovar do të kenë sigurime shëndetësore.

Përveç kësaj ai ka thënë se është i lumtur që projekti i tij katëvjeçar “Bashkë për futbolli” po realizohet një nga një.

Postimi i plotë i Agim Ademit:

Pikat strategjike të programit tim katërvjeçar ‘Bashkë për Futbollin’ tashmë kanë filluar të finalizohen një nga një.

Krahas projekteve të shumta që janë realizuar dhe të tjerave që janë në proces, jam i lumtur që nga sot futbollistet dhe futbollistët e klubeve tona do ta kenë sigurimin e tyre shëndetësor.

Lëndimet e futbollistëve përveç se janë po thuajse të paevitueshme ato kanë edhe kosto të madhe. Si rrjedhojë, ato, kanë qenë barrë e madhe për klubet por në shumë raste edhe për vetë futbollistët.

Tani me marrëveshjen e arritur me kompaninë ‘Sigal Uniqa Group Austria’ futbollistet dhe futbollistët do ta kenë të zgjidhur këtë çështje, pasi do të pajisen me polica të sigurimit dhe të gjitha lëndimet do t’u mbulohen nga kjo marrëveshje.

Me këmbëngulje të madhe jam duke punuar edhe në pikën tjetër të programit tim – jetësimin e Qendrës së Rehabilitimit, e cila po ashtu do të jetë në funksion të të gjithë futbollistëve të lënduar, të cilët do të kenë përkujdesjen e stafit profesional mjekësor dhe të gjitha kushtet e nevojshme deri në rehabilitimin e plotë.

E së shpejti, do të finalizojmë edhe projektin e ‘Muzeut të Futbollit’, i cili do ta pasqyrojë historinë e pasur dhe unike të futbollit tonë ndër dekada.

Futbollisteve dhe futbollistëve tanë u uroj të kenë shëndet të mirë e sa më pak lëndime, derisa së bashku do të vazhdojmë të punojmë për kushte sa më të mira përbrenda vendit tonë dhe për suksese të reja në arenën evropiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *