Për inkuadrimin e klubit të futbollit “Liria në Superligë vazhdojnë të vijnë reagime të shumta nga futbolldashësit dhe së fundi ka folur edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Në postimin e tij në “Facebook” Ademi e ka uruar skuadrën nga Prizreni për këtë arritje.
Ai ka thënë se kjo është një arritje e madhe për skuadrën dhe një moment krenarie për të gjithë tifozët e Lirisë dhe qytetarët e Prizrenit.
Ai ka përgëzuar edhe tifozerinë e Lirisë të njohur si “Arpaxhikët” për atmosferën e krijuar si dhe futbollistët dhe stafin për punën e palodhshme.
Postimi i plotë i të parit të FFK-së në “Facebook”
Urime FC Liria rikthimi në Superligë
Pas katër vjetësh skuadra me traditë të madhe, Liria rikthehet në elitën e futbollit tonë, pasi kishte fatin në anën e saj në serinë e penalltive në përballje me skuadrën e deritashme të elitës, Ferizajn, në ndeshjen e barazhit.
Kjo është një arritje e madhe për skuadrën dhe një moment krenarie për të gjithë tifozët e Lirisë dhe qytetarët e Prizrenit.
Përgëzoj futbollistët, stafin e trajnerëve, drejtuesit e klubit dhe të gjithë ata që kanë punuar me vendosmëri për ta arritur këtë objektiv.
Kjo arritje është shpërblim i merituar i punës dhe përkushtimit tuaj të vazhdueshëm.
Tifozët “Arpaxhikët” dhe qytetarët prizrenas në përgjithësi, duhet të ndjehen krenarë për përkrahjen e tyre dhe për energjinë që i dhanë skuadrës gjatë gjithë sezonit.
Ndeshja e sotme e barazhit për Superligë ishte shembull për angazhim e fair-play të skuadrave dhe për atmosferë të shkëlqyeshme në tribuna, por edhe për organizim të mirëfilltë.