Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, u ka kërkuar klubeve të vazhdojnë punën e tyre me përkushtim, me synimin që në stinorin pranveror të paraqesin lojëra sa më cilësore dhe tërheqëse për tifozët.
I pari i FFK-së ka vizituar klubet të që po përgatiten në Turqi.
“Gjatë qëndrimit në Turqi, ku të shtunën do të zhvillohet ndeshja e Superkupës së Kosovës, FC Ballkani vs FC Prishtina, krahas këtyre dy klubeve, pata kënaqësinë që bashkë me dy nënkryetarët, Bakir Burri e Agim Dibrani dhe anëtarin e KE-së, Ismajl Ajeti, të vizitoj edhe klubet tjera të cilat po e kryejnë fazën përgatitore në Antalya: FC Drita, SC Gjilani, FC Llapi, FC Feronikeli 74, FC Malisheva, FC Dukagjini dhe FC Suhareka. Në çdo takim, ritheksova se Federata e Futbollit garanton rregullsi të garës dhe përkrahje në të gjitha drejtimet për klubet e saj. Po ashtu ua bëra me dije që Federata e Futbollit është shtëpia e tyre dhe është në dispozicion të klubeve në çdo kohë”, ka thënë Ademi. “Gjithashtu shpreha falënderimin tim ndaj drejtuesve të klubeve të cilët po u mundësojnë futbollistëve të tyre një fazë përgatitore të favorshme në Turqi. Ata jo vetëm që kanë kushtet e duhura për përgatitje në Antalya, por gjithashtu kanë mundësinë të luajnë edhe ndeshje miqësore me skuadra të ndryshme evropiane”.
Sipas tij, Futbolli kosovar ka nevojë për përkushtim, pasion dhe rritje të mëtejme, andaj inkurajoj të gjithë tifozët që t’i mbështesin ekipet e tyre të zemrës në stinorin pranveror.
“I inkurajova të gjitha klubet të vazhdojnë punën e tyre me përkushtim, me synimin që në stinorin pranveror të paraqesin lojëra sa më cilësore dhe tërheqëse për tifozët tanë. Ndeshja e Superkupës, Ballkani – Prishtina, që zhvillohet më 20 janar, në orën 13:00, do të transmetohet drejtpërdrejt nga platforma Art Motion. Kjo ndeshje i paraprin stinorit pranveror, andaj me këtë rast u uroj të gjitha klubeve suksese në këtë sezon të kampionatit tonë”, ka shkruar ai.